KUSHTRIM
PËR MBROJTJEN E MJEDISIT
NË NDIHMË TË NJERËZVE ME AFTËSI TË KUFIZUARA
Kushtrim Ahmeti
ka lindur nё Kosovё. Sot ёshtё student nё qytetin e Izmirit tё Turqisё. Ai
vazhdon studimet në një nga universitetet më prestigjoze të Turqisë. Kushtrimi
studion nё universitetin e Ege dhe është në vitin e fundit në fakultetin e
stomatologjisë. Sot ai ka famë botërore për bamirësi dhe aktivist për mbrojtjen
e mjedisit në ndihmё tё njerëzve me aftësi tё kufizuara. Njё ndёr projektet me
famё botёrore tё Kushtrimit ёshtё “projekti
me pёrgjegjёsi sociale”.
Çfarё ёshtё “projekti me pёrgjegjёsi sociale” i
Kushtrimit?
Projektin
shkurtimisht mund ta përshkruajmë “Grumbullimi
i kapakëve plastikë të çdo lloj ngjyre dhe madhësie shishesh,bidonash”
që në konsumojmë përdite me lëngje të ndryshme. Ku çdo kapak i hedhur nё
ambient, për tu tretur nё natyrё i duhen 10 breza kohë, pra afёr 400 vite.
Projekti pёrfshin MosHedhjen në plehra ose Mbledhjen nga plehrat e kёtyre
kapakëve dhe depozitohen në një kompani prestigjoze të riciklimit këtu në Izmir
(Muzaffer Pınarbaşı Işletmeleri),
ku nё menyrё ligjore është ngritur një fond pranë fabrikёs dhe universitetit Ege
që nga tё ardhurat e shitjes së kёtyre kapakëve të mbledhur, bëhet porositja e
karrocave për njerëz me aftësi të kufizuar nga një firmё prestigjoze Gjermane
(Otto Bock). Deri më sot janё shpërndarë mbi 1300 karroca dhe janë për tu
shpërndarë me qindra të tjera.
Në fakt kur
flitet për riciklimin e plastikës, hollësitë teknike të saj mund të na duken
shumë të komplikuara. Dhe gjërat tё komplikuara janë shkaku që ne nuk provojmë
(ndoshta as në mend nuk na shkon një gje e tillë) ndonjeherë në shtëpitё tona
që të ndajmë mbeturinat e shtëpisë sipas cilёsive të tyre e ti vendosim nё qese
veç e veç. Sidomos kur shohim në përgjithësi shërbimet e pastrimit të mjedisit
nga ana e bashkisë (por çdo ditë e më mire po bëhet) në të gjitha trevat
shqiptare, e kemi të veshtirë që të bëjmё një klasifikim të mbeturinave para se
ti hedhim në koshat e plehrave. Sepse pranë koshave të mëdhenj vetёm në vende
shumë të rralla mund të ketë kosha sipas cilësisë së plehrave (leter, qelq,
plastikё, bateri, pjesё dixhitale, hekur…etj). Proçesi i çdo lloj riciklimi
është po i veçuar për lëndёn e vet. Çdo lloj lënde ka mënyrën efikase tё vet.
Lloji i plastikës për shishet ështe ndryshe nga lloji i plastikës të kapakëve,
dhe për këtë trajtohen ndryshe që secili të riciklohet në mënyrën efikase të
saj. Dhe kush e ka parë në TV një proçes të tillë, e di që fakti kryesor është
që kjo ndarje kërkon shumë punë dhe si qytetarë të kësaj bote për të ndihmuar
zinxhirin e riciklimit, mund ti heqim dhe veçojmё vetё kapakët shisheve. Kёshtu
ndihmojmё dhe punëtorët e fabrikës dhe shpejtojmë proçesin e riciklimit.
Kurse Kushtrimi
nё fillim të kёtij projekti, kapakët i ka mbledhur nga kutitë e koshave
(plastikë) nё oborrin e fakultetit ku ai studion. Ai kishte pranё 2-3 shokë të
tij dhe disa profesorë. Sepse nё këtë
park të kampusit tё universitetit i lindi kjo ide dhe u pёrhap në të gjithë
botën. Dhe ne pa i hedhur plehrat nga shtëpia jonë në kosha sikur këtë proçes
ta bëjmё dhe atëherё do bëjmё 3 herë mirësi thotë Kushtrim Ahmeti. E para: “kemi ndihmuar nё mbrojtjen e mjedisit për të mirën e vetes tonë dhe të
pasardhёsve tanë”, e dyta; “kemi ndihmuar punëtorët e fabrikës së riciklimit” dhe e treta;
“është që me ata kapakë do tё jesh
pjesmarrës aktiv për një buzëqeshje tё një personi i cili është me aftësi të
kufizuara dhe të familjës së tij”. 250 kg kapak plastike që janë afërsisht
75 mijë kapakë kur çohen tek fabrika për riciklim kanë vlerёn e një karroce (e
cila ёshtё me vlerё rreth 400-450 Euro në treg). Kjo karrocë është me garanci
nga fabrika për 4 vjet. Ështё
prodhim model i fundit, ka rripin e sigurimit dhe e kompletuar me standarte që
kërkohen nga organet kopetente të kësaj natyre. Aktualisht, kjo iniciativë e
Kushtirimit ёshtё zgjeruar në tё gjitha qytetet e Turqisë dhe në mё shumё se 50
shtete të botës.
Përmes një ndërlidhje me Green Club Kosova dhe Charity Club në Universitetin Amerikan në Kosovë (AUK), mbledhja e
kapakëve ka filluar edhe në Kosovë. Me
tё njëjtin sistem edhe në Kosove apo Shqipëri karrocat që do të blihen do të
shkojnë tek familjet që kanë nevojë për to. Tani për tani transporti i karrocave
organizohet nёpёrmjet ambasadës Turke në Prishtinë. Në
të njëjten kohë ambasada Turke ndihmon në dërgimin e kapakëve nga e gjithё bota
për riciklim në Izmir sepse nuk ka kompani në Kosovë dhe Shqipëri që riciklojnë
këtë lloj plastike.
Për më shumë informacione në shqip mund tё
shikoni nё internet, mund të komunikoni me redaksinë e revistës tonë nё adresën
info@revistafjala.com
dhe/ose për të angazhime të këtij projekti për dërgimin e kapakëve të
grumbulluar, mund të kontaktoni AUK Charity Club në charityclub@aukonline.org,
ose po ashtu mund tё kontaktoni dhe me
OJQ’në Green Club
Kosova info@greenclub.org .
Sot ku ka
arritur kushtrimi i projektit?
Kushtrimi fillimisht nuk e ka menduar dhe nuk e ka bërë
për të thyer rekord por vetёm për mirësi të njerёzve me aftësi të kufizuara.
Por nё fakt vetё libri i rekordeve “Guinness” tani e ka kandidat për ta vendosur në
një nga faqet e tij. Ideja dhe iniciativat e Kushtrimit pёr rreth 3 vite ka
arritur të mbledhë rreth 300 tonë kapakë shishesh plastike nga Turqia dhe rreth
50 shteteve te botës. Ku me njё fond tё krijuar nga tё ardhurat e riciklimit tё
kapakëve ai deri më sot ka shpërndarë afërsisht 1500 karroca për njerëzit me
aftësi të kufizuar në Turqi dhe disa shtete të Afrikës. Mё 14 Korrik tё vitit
2012 në Kosovë do shpërndajë si fillim 50 copë, ku për ndihmën e dhëne në
transportin e tyre nga Izmiri për Prishtinë ka një meritë të madhe Ambasadori i Kosovës i akredituar
në Ankara z. Bekim Sejdiu, dhe shumë shpejt do ta ndjekё shpёrndarja e
karrocave edhe në Shqipëri e të gjitha trevat shqiptare.
Kushtrimi sikur
ka emrin ka dhёnё dhe vepra “me Kushtrim”
pёr tё mirёn e njerezimit por dhe aq pёr mjedisin dhe natyrën tonë, që nesёr tё
lemë një mjedis më të pastër pёr brezat pasardhёs. Me një llogjikё tё kulluar
Kushtrimi veproi për t’ju bёrë mirë njerёzve me aftësi tё kufizuara dhe
njerёzve me aftёsi tё “Pa-Kufizuara”. Kushtrimi thotё që “Kapaku si diçka i vogel dhe i pa vlere, u ndihmoi mijera njerёzve qё tё
lёvizin, tё bёjnё punёt e veta ditore mё lehtё dhe tё shohin botёn qё ata i
rrethon. Sepse nё sajё tё “Kapakёve” janё pajisur me karroca qё ju mundёson
lёvizjen”.
Kushtimi vazhdon
duke thёnё qё “…kur ekziston vullneti tek
njeriu, me gjёra tё vogla mund tё bёjmё ndryshime pёr tё mirёn e njeriut, tё
natyrёs dhe tё kombit tё vet”. Kushtirimin vazhdon dhe thotё njё gjё shumё
domethёnёse pёr kombin tonё shqiptar; “Le
tё punojmё nё atё drejtim qё edhe Kosovёn, Shqipёrinё e tё gjitha trevat
shqiptare ti ndërtojmё apo rindërtojmë, duke punuar me vullnet dhe pa menduar
se a do tё përfitojmë ne si individ apo jo”.
Kushtrimi, shoku
ynё, studenti shqiptar që rizgjoi zemrat e njeriut pёr njeriun me aftësi të
kufizuara, i cili me këtë projekt e bëri Turqinë shembull bote thotë që “tani e tutje pse tё mos bëhet shembull Kosova dhe Shqipëria”. Dhe
për këtë kërkon një ndergjegje të pastër nga forcat politike drejtuese tё
Kosovës e të Shqipёrisë, ku ky projekt me famë botërore të kyçet tani e tutje
në trevat tona e të krijohet mundësia pёr fabrikimin e riciklimit tё duhur nё
këtë temë sepse kёshtu do të kemi edhe
më shumë vende punësimi, ku ky është një ndër problemet kryesore tё
shqiptarëve po dhe nё Evropё dhe botë. Me një fabrikë të tillë do të ketë
punësim sepse nga 50 vende tё botёs vijnё kapakë për riciklim
Çfarё ёshtё thёnё pёr Kushtrimin dhe projektin e
tij?
Zach Yentzer’i
në shkrimin e tij për këtë projekt të Kushtrimit me titullin “Kushtrim Ahmeti, I prirur për të vepruar”
shkruan “Studenti i stomatologjisë
Kushtrim Ahmeti mund të përshkruhet me dy fjalë: veproj -i prirur. Gjatë javës
ai shfaqet si çdo student tjetër në klasën e tij- punëtor, i zgjuar, dhe i
vendosur që t’ja dalë. Ndërsa gjatë fundjavës, ai transformohet aktivist
në nivel komunitetesh, i përkushtuar të ridefinojë mënyrën se si mendojmë për
shëndetin, qëndrueshmërinë dhe mirëqёnien socio-ekonomike”. Me pas
vazhdon duke thёnё “Së bashku me disa
shokë klase, ai ka sajuar një ide briliante: shërbime mobile stomatologjike për
ata që janë ekonomikisht të paprivilegjuar. Bashkë me një grup studentësh e
profesorësh, Kushtrimi i kalon fundjavat në pjesë të varfëra të Turqisë për
t’ju ndihmuar atyre që nuk mund të ndihmojnë vetveten”.
Zach Yentzer’i
në shkrimin e tij nënvizon dhe këtë për Kushtrimin duke thënë se “Kushtrimi është i pasionuar për të ndikuar
në ndryshimin e mënyrës në të cilën shikohet mbrojtja e mjedisit dhe për të
ndihmuar njerëzit me aftësi të kufizuara. Shpesh, lidhja mes këtyre tё dyjave
nuk kuptohet, por ai e ka dëshmuar se çfarë mund të arrihet me fuqinë e
vullnetit të kombinuar me zgjidhjet kreative. Krahas shërbimeve mobile
stomatologjike, Kushtrimi ka krijuar një metodë komplekse dhe humane për të
mbledhur kapakë të shisheve të plastikës të cilat më pas riciklohen për të
prodhuar karroca për nevojat e personave me aftësi të kufizuara. Kjo është
përhapur shumë shpejt jo vetëm në Turqi por në mbarë botën, duke përfshirë 44
shtete të ndryshme. Kushtrimi di më shumë se të gjithë ne, për lindjen e një
ideje universale që influencon shoqëritë anembanë botës”.
Nё faqet e para
në një gazetё turke shkruhej, “Kushtrimi,
i riu shqiptar nga Kosova me “Kapakë Blu” u bë shpresë për njerëzit me aftësi
të kufizuara”. Me të vёrtetë që Kushtrimi në tё njëjtёn kohë ka rizgjuar
ndjeshmërinë tek çdo njëri në globin për dëmin që i bëjmë natyrës tonë, me
konsumimin e tepërt që bëjmë përditë dhe hedhja në ambientin dhe natyrën tonë.
Përditë në
shtypin turk lexoj tituj të tillë gazetash si “Heroi i kapakëve, studenti stomatolog nga Kosova”, “Intelektuali i ri Kosovar, babai i
‘Projektit të Kapakëve’”, “Kapakët e
Kushtrimit, përqafuan të gjithë Turqinë”, “Mblidhen Kapakët dhe Tejkalohen Pengesat”, “Kushtrimi, kaloj kufinjtё e Turqisë, tashmё nga e gjithë bota po vijnë kapakë për karroca”, “Çdo kapak shisheje që pi ujë ti, është
shpresë për një tjetër”, “Kushtrimi,
djali qe e ka hallall gjirin e nënës se po i bën të buzqeshin mijëra familje që
kanё fёmijët e tyre me aftësi të kufizuara”… etj. Nё dhjetra gjuhë të botёs
janë bërë lajme e shkrime pёr Kushtrimin dhe projektin e tij.
Kushtrimi ka
marrё pjesë dhe nё “TEDxPrishtina”, i udhëhequr nga vizioni se bota ka nevojë
të shёndërrohet në një vend më të mirë duke përmirësuar mirëqёnien shëndetësore
dhe atë socio-ekonomike të njerëzve, ka folur se si lind një ide universale dhe
si arrin të bëjё jehonë në shoqëritë anembanë botës.
Kush ёshtё dhe çfarё thotё Kushtrimi?
Me Kushtrimin
njihemi që gjashtë vite, shqiptar me zemër e shpirt, ai është një djalë i qetë,
i zakonshëm, studiues i mire, punëtor, i shkathët, intelektual, intelegjent i
zgjuar e shumё mirёbërës, ku për ketë ai sot ka famë botërore. Para dy javёsh
kur i bëra telefon Kushtrimit dhe i thashë që sot ose nesёr a ke kohë të pimë
një kafe së bashku se dёshiroj tё flas diçka me ty gjërë e gjatë se kemi
vendosur si redaksi që ti dhe projektet tuaja tё jeni “Kapaku” në numrin e
ardhshëm të revistës, gjithnjё po e pranove ti. Nё telefon Kushtrimi me tha qё
“Koli, kafen e pimë kur tё duash”…
kur u takuam (për këtë temë) Kushtrimi mё tha qё “ёshtё nder për mua tё jem nё
Kapakun e revistёs prestigjoze që
klikohet dhe lexohet me vemendje nga studentё, gazetarё, studiues,
intelektualё, diplomatë dhe politikanë shqiptarë anëmbanë botës, e cila dhe
revista “Fjala” është një ide e shokëve tё mi studentë nga të gjitha trevava
shqiptare që studiojnë në Izmir. Është
kёnaqësi për mua që po i them 2-3
“Fjalë” në shqip përmes revistës “Fjala” kombit tim, sepse projekti im tashmë
ka mbërritur në vendlindjen time, pra në trevat tona shqiptare”.
Mё lart e thashë
qё Kushtrimi është një njeri i thjeshtё, kam qenë disa herë me Kushtrimin kur
po i jepeshin paketa e falenderime (ku dhe mua mё ka nderuar universiteti disa
herë me paketa të tilla për kontributin e dhënë nga ana medatike këtij projekti
të vëllait tim shqiptar), dhe pёrgjigjen e tij se harroj kurrë kur ia bëra
pyetjen duke i thënë se je burrё i madh, je krenaria e kombit tonё vëlla, të
gjithë këta njerëz të duartrokasin, të falenderojnё, e lutin tё madhin Zot për
ty, nënën e familjen tënde që tё ka lindë, si e ndjen këtë lumturi në zemёr? Ai
me tha pa hezitim qё “Koli faleminderit prej tyre bre Abej, me tё
thënë të drejtёn kjo është nder i madh e krenari për mua, familjen time, për
Kosoven dhe mbarë kombin shqiptar, por, unë ndihem edhe shumë më i lumtur kur
një karrocë jua dorëzoj atyre që kanë nevojë apo kur ia rregulloj dhëmbёt
njerëzve me aftësi të kufizuara”. Dhe unë heshta e si kam bërë më një
pyetje të tillë.
Kushtrimi ka
bërë projekte të tjera të shumta ku mund ti përmendim dhe dy të tjerë. Në vitin
2009 ra një zjarr dhe digjet pylli i një qyteze bregdetare në afërsi të Izmirit
e cila quhet Kuşadası/Kushadasë. Kushtrimit i lindi një mendim dhe vendosi të
bёjё një projekt. Duke mbledhur letrat e fotokopjeve tё studentёve dhe duke i
dërguar në fabrikën e riciklimit të letrës formohet një fond qё arriti vlerёn
ekonomike sa pёr tё mbjellё 1500 fidanë nё vendin e lartpërmendur. Ky projekt i
Kushtrimit u cilësua “Projekti II” më i suksesshёm i universitetit Ege për
vitin 2010-2011.
Një ndër
projektet i cili është vullnetar i rregullt Kushtrimi dhe po mendon ta sjellё
nga muajt shtator/tetor/nëntor në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni e Bosnjё është
“projekti i ndihmёs mjekёsore pёr njerёz me aftёsi tё kufizuar”, projekti
zhvillohet çdo fundjavё me nismën dhe sponsorizimin totalisht nga Drejtori i
Klinikës Pedodonti Prof. Dr. Ertuğrul SABAH’i. Në bazë të këtij projekti bamirës
vijnё nga e gjithë Turqia, sidomos nga zonat rurale, atje ku ka njerёz me
aftësi të kufizuara dhe iu shërbejnё me çdo gjë (falas me shpenzime tё vetë
Profesor Sabah’it) për dhëmbët me një ekip prej 18 vetash. Për këtë Kushtrimi
thotë që “për njё njeri me pa tё meta
ёshtё e veshtirё vizita dhe shërbimi që bën
pacienti te dentisti. Kurse kur është fjala për njerëz me aftësi të
kufizuara kjo veshtirësi shtohet, por ne si dentistë vullnetarisht e bëjmё këtë
vetem se si tё jenë të shëndetshёm kjo pjesë e shoqërisë tonë. Kjo është një
kënaqësi e paçmueshme. Është një gjë që duhet bërë nga çdo njeri”.
Kushtrimi është
i vendosur që kёtë projekt ta zhvendosё në vendlindjen e tij Kosovë dhe nё
Shqipëri. Kushtrimi si intelektual shqiptar është jo i kënaqur me aktualitetin
e kombit shiqptar. Sepse si të gjithë shqiptarёt e ndjek nga afёr aktualitetin
e Kosovës, të Shqipërisё dhe të të gjithë trevave shqiptare. “Kosova shtet i ri dhe kërkon kohë për ta
kuptuar potencialin e saj të plotë”, plus këtij realiteti Kushtrimi shton
duke thënë që “…dhe klasa politike e
Shqipёrisё dhe e trevave shqiptare liderizohen nga njerëz të paguximshëm për të
shpalosur ide të mëdha që sjellin ndryshime nё shoqёri. Të gjitha trevat ku
banojnё shqiptarët duhet të udhëhiqen nga njerëz më me guxim për të bërë
ndryshime në të gjitha aspektet e jetës. Besoj se situata në kombin shqiptar
mund të ndryshojë vetëm kur të arrihet barazia shoqërore dhe kombëtare, dhe kur
çdokush do të gjykohet bazuar në etikën e punës dhe jo statusin shoqëror…”.
I bëra pyetjen: Kushtrim, a jeni i kënaqur nga jeta,
profesioni yt?
Me një buzёqeshje të sinqertë; “po jam i kënaqur nga jeta dhe nga profesioni
im, por, mua mu desh një gjë tjetër e cila ajo gjë më bën më të lumtur duke
bërë të lumtur disa njerëz të shoqërisë tonë, e cila e sheh veten të
anashkaluar nga shoqëria ku jetojnë. Dhe kjo lumturi nuk ka vlerё ekonomike por
ёshtё e paçmueshme”.
Pyetja e fundit
për Kushtrimin ishte kjo; çdo bësh më në
jetë pas tё gjithë këtyre projekteve me vlera humane tepër të larta?
“projekti
dhe projektet po patën sukses në vlerat humane atëherë duhet me thënë që do
mundohem gjithnjë nё paralelin e profesionit tim si dentist për të mbushur
hapёsira bosh që fatkeqёsisht nuk janё të pakta në shoqërinë tone”.
Duke i uruar
shёndet e suksese Kushtrimit po e mbyll kёtё shkrim me një fjalë të urtë
shqiptare; “pika pika mbushet pusi/bunari” kanë thënë gjyshërit tanë, dhe
Kushtrimi me mendjen e vet intelektuale ia arriti të mbushi pusin e mijëra
familjeve anëmbanë botës, ku ende shumë pika uji vazhdojnë përsëri të rrjedhin
e të shkojnë kot… dhe në qё jemi me
aftësi të “Pa-Kufizuara” duhet të bëjmë çfarë është për tё bërë, per ti
ndihmuar njerezit tanë me aftësi te kufizuara, e për t’ju treguar atyre që ne
jemi me ju e ju jeni me ne, nuk jeni e nuk do të jeni të diskriminuar nga
shoqëria jonë moderne e shekullit të XXI. http://www.revistafjala.com/3/index.html http://www.revistafjala.com/3/revista3.pdf
Nga: Sokol BRAHAJ sbrahaj@revistafjala.com
Hiç yorum yok:
Yorum Gönder