17 Kasım 2012 Cumartesi


FJALA E PRESIDENTES ATIFETE JAHJAGA
NË CEREMONINË ME RASTIN E KTHIMIT TË ESHTRAVE 
TË MBRETIT AHMET ZOGU I PARË NË SHQIPËRI

E shtunë, 17 nëntor 2012

Prehja në token tonë e të gjithë veprimtarëve e gjithë atyre burrave dhe grave që u përpoqën për lirinë, për pavarësinë, për shtet ndërtimin, për zhvillimin e përparimin e Atdheut është një amanet i mbetur peng që ne duhet ta kryejmë me nder dhe me krenari.

I İnderuari President i Republikës së Shqipërisë , zotëri Bujar Nishani,
I Nderuar Kryeministër i Shqipërisë, Dr. Sali Berisha,

E Nderuar Kryetare e Kuvendit te Shqipërisë, znj. Jozefina Topalli,
E Nderuara familje Mbretërore Shqiptare - I nderuar Princi trashëgimtar Leka,
Të nderuara lartmadhëri të familjeve mbretërore,
I nderuari zëvendëskryeministër i Hungarisë,
I Nderuar Kryetar i Bashkisë së Tiranës, zotëri Lulzim Basha,
Të nderuar zyrtarë të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës,
Të nderuar kryetarë të Bashkive dhe të komunave të Shqipërisë dhe të Kosovës,
Të nderuar ambasadorë të vendeve mike,
Të nderuar Qytetarë te Tiranës dhe të gjitha trevave tona,
Prehja në token tonë e të gjithë veprimtarëve e gjithë atyre burrave dhe grave që u përpoqën për lirinë, për pavarësinë, për shtet ndërtimin, për zhvillimin e përparimin e Atdheut është një amanet i mbetur peng që ne duhet ta kryejmë me nder dhe me krenari.
Kthimi i eshtrave të ministrit, kryeministrit, presidentit e të Naltmadhënisë se Tij, Mbretit të Shqiptarëve, Zogu i Pare simbolizon Drejtësinë hyjnore, Paqen politike e Pajtimin kombëtar.
Me këtë e dëshmojmë urtësinë tonë, duke e fituar qetësinë shpirtërore si njerëz dhe si komb, duke pasur respekt për paraardhësit tanë, për punën e prijësve të vendit të vlerësuar në rrethanat e kohës.
Shqipëria nën udhëheqjen e Naltmadhnisë së Tij, mbretit të shqiptarëve, Zogut të Parë, nga një vend i varfër dhe i pazhvilluar, fisnor dhe i përçarë, me kontradikta të shumta, u bë një vend modern i kohës, i unifikuar, me shtrirje të pushtetit dhe administratës në secilin cep të saj, me liri qytetare, me tolerancë fetare që ishte shembull për vendet e tjera.
Me qeverisjen e Ahmet Zogut ndërlidhen datat dhe ngjarjet ma të rëndësishme të qenies sonë kombëtare e shtetërore, që nga shpallja e pavarësisë në Vlorë, me luftën kundër trupave pushtuese në mbrojtje të Shkodrës dhe të viseve të tjera të vendit duke përzënë përfundimisht trupat malazeze, serbe, greke, italiane dhe trupat e tjerë të huaja nga territori i shtetit , në vënie te rendit dhe sundimit te ligjit në të gjitha krahinat në organizimin dhe në zbatimin e vendimeve te Kongresit te Lushnjës.
Ahmet Zogu si udhëheqës ka kontribut të jashtëzakonshëm në ndërtimin dhe në konsolidimin e shtetit shqiptar, në miratimin e statutit Themeltar, të kodit civil dhe penal Evropian, në krijimin e policisë dhe të ushtrisë së rregullt dhe efektive, në caktimin e kufijve të shtetit të njohur e të pranuar ndërkombëtarisht, në krijimin e Shërbimit diplomatik dhe në vendosjen e marrëdhënieve bilaterale e në nivel ambasadash me një varg shtetesh, që mundësoi nënshkrimin e marrëveshjeve të rëndësishme ekonomike, politike e ushtarake, dhe në anëtarësimin e Shqipërisë ne Lidhjen e Kombeve.
Është angazhimi domethënës i Tij në rregullimin e brendshëm administrative të vendit në shpalljen e Tiranës kryeqytet, në ndërtimin e parlamentarizmit, dhe në organizimin e zgjedhjeve, në shpalljen e Shqipërisë Republike parlamentare, në heqjen e sistemit të bejlerëve dhe në dhënien e tokës fshatarëve.
Zogu dhe gjithë populli i pritën me zemër të hapur Kosovarët e larguar me dhunë nga trojet e veta etnike që u vendosen përfundimisht në Shqipëri. Është tejet humane dhe përparimtare mbrojtja dhe pranimi i Hebrenjve në Shqipëri në kohën qe ata përndiqeshin nga fashizmi dhe nazcizmi.
Gjithashtu, me shpalljen nga Asambleja Kushtetuese të Shqipërisë Mbretëri Demokratike Parlamentare të Trashëgueshme e konsolidoi sistemin e brendshëm, e mënjanoi anarkinë duke e bërë vendin një shtet modern të kohës, duke vënë bazat e sistemit shkollor dhe shëndetësor, duke vendosur sistemin bankar dhe Lekun valutë konvertibile të vendit, duke ndërtuar infrastrukturën rrugore, portet detare dhe aeroportet.
Me Mbretin e Shqiptarëve Zogu i Parë ndërlidhet edhe Autoqefalia e Kishës ortodokse shqiptare, vendosja e Kryegjyshatës botërore bektashiane në Shqipëri, si dhe liria e plotë e besimit që ndikoi në zhvillimin e veprimtarisë së gjithanshme të Bashkësisë Islame dhe të Kishës Katolike. Gjithashtu edhe liria e shtypit dhe veprimtaria botuese është meritë e kushteve të krijuara dhe e përkrahjes në kohen që Ahmet Zogu ishte kryeministër, president apo Mbret. 
Të nderuar qytetarë,
Eshtrat e Naltmadhënisë se Tij, Mbretit të Shqiptarëve Zogu i Parë nga sot prehen në atdhe. Është ky obligimi ynë ndaj udhëheqësit i cili e mbante titullin Mbret i Shqiptareve sepse pikërisht shqiptarët e zgjodhën dhe i cili u betua mbi Bibël dhe Kuran, ndërsa me martesën e tij ripërtëriu zakonin e lashtë të lidhjeve princërore duke treguar se të gjitha besimet janë të barabarta dhe secili individ edhe Brenda familjes e gëzon të drejtën e lirë të besimit.
Mbreti Zog dallohej për shtrirjen e dorës së pajtimit e të mirëkuptimit dhe oponentët e dikurshëm i kryenin punët e rëndësishme të shtetit.
Është jo vetëm simbolikë që mbreti i Shqiptareve Zogu i Parë i dha titullin trashëgimtar: Princ i Kosovës djalit të motrës së tij e te Beut nga Gjakova Princit Tati-Esad Kryeziut.
Mbreti Tha: “Bota e ka kuptuar se nëse Bijtë e Shqiponjës lihen në paqe ata mund të ndërtojnë shtet”.
Ne sot jemi të lehtësuar që e kryem detyrën, sepse eshtrat e patriotëve  nuk i tret dheu i huaj dhe “guri peshon me rënd në vend të vet”.
Ju faleminderit,
Nderim dhe respekt të përjetshëm për të gjithë atdhetarët. 



E shtunë, 17 nëntor 2012   Marre Nga;http://www.president-ksgov.net/?page=1,6,2624 

Hiç yorum yok:

Yorum Gönder